Kronikë

Thyhen xhamat e katër lokaleve nga shok-bombat në veri, Policia: Veprim kriminal nga struktura të organizuara

Descriptive Text

Policia ka njoftuar se katër lokaleve në veri të Kosovës u janë thyer xhamat si pasojë e një shpërthimi të një shok-bombe, në orët e para të mëngjesit.

Sipas njoftimit të Policisë, ky shpërthim ka ndodhur afër udhëkryqit të shkolla teknike në Mitrovicën e veriut, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Siç raportohet, dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës.

“Fushatat propaganduese të ditëve të fundit nga qarqe politike e media kryesisht serbe, kundërshtohen fuqishëm nga Policia e Kosovës dhe kërkohet nga qytetarët dhe mediat në përgjithësi që çdo informacion të ndjeshëm ta konfirmojnë përmes autoriteteve kompetente, respektivisht zyrës për media në Policinë e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë dhe posedimit të informatave të sakta dhe në kohë reale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës me njësitet e saj, përfshirë edhe njësinë kundër terrorizmit, thuhet se po ndërmerr veprime në hetimin e këtij rasti për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të kryerësve të këtyre veprave kriminale.