Kronikë

U ngrihet aktakuzë dy personave për shitblerje të heroinës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve A.D., dhe V.D., të cilët gjenden në paraburgim nga 16 nëntori.

Prokuroria ka thënë në një komunikatë se aktakuza është ngritur mbi dyshimin e bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprën penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.D, fillimisht më 22 tetor përmes zbatimit të masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, haset nga Policia e Kosovës duke i shitur personave të tjerë substanca narkotike të llojit heroinë, derisa i pandehuri V.D më 6 nëntor gjithashtu haset nga policia duke kryer aktivitetin e njëjtë kriminal.

Policia në shtëpinë e tyre ka gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të llojit heroinë në peshë të përgjithshme prej 805.5 gram.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në komunikatë.