Kronikë

Edhe një muaj paraburgim personit që dyshohet se sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikqi

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Pejë ia ka vazhduar edhe për një muaj paraburgimin të dyshuarit F.B.,për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, ka konfirmuar të hënën, se masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit është vazhduar edhe për 30 ditë.

“Gjykata duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë, ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit deri më 29.11.2022”, ka thënë Zhuti për KOHËN.

Sulmi seksual ndaj Nikqit ndodhi më 27 shtator në Pejë dhe u dokumentua nga një kamerë e sigurisë, e vendosur në një shtyllë elektrike pranë rrugës “Mbretëresha Teutë”.

Sulmi ndaj alpinistes ndodhi në një hapësirë pranë rrugës kryesore, ku ka qarkullim të konsiderueshëm të njerëzve.

Njoftimin për sulmin seksual, Nikqi e kishte bërë vetë publik, duke ia bashkëngjitur videon në të cilën shihet duke ecur rrugës, teksa i dyshuari e sulmon nga pas.

Pasi sulmuesi arriti ta kapë, viktima reziston derisa shpëton nga duart e tij, ku më pas afrohen persona të tjerë.