Kronikë

14 të arrestuar në tri raste të ndara në Prishtinë dhe veri të Mitrovicës

Descriptive Text

Policia ka arrestuar 14 persona në tri raste të ndara, të dyshuar për përfshirje në tri vepra penale.

Arrestimi i të dyshuarve, sipas njoftimit të policisë është bërë të enjten në rajonin e veriut të Mitrovicës dhe në Prishtinë.

Të dyshuarit janë arrestuar për veprat penale “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, për të cilën është arrestuar i dyshuari me inicialet M.M.

Vepra e dytë penale ka të bëjë me “kontrabandim me migrantë”. Në operacionin e së enjtes janë arrestuar 12 persona, gjashtë prej tyre – shtetas të huaj, si dhe janë identifikuar 29 viktima të kontrabandimit me migrantë.

“Gjatë këtij operacioni në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një veturë, tri armë të gjata dhe tri armë të shkurta. Në konsultim me prokurorin e çështjes, është lëshuar vendim për ndalim për kosovarët, ndërsa për shtetasit e huaj pritet vendimi pas intervistimit të tyre”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti i tretë ka të bëjë me “prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve”.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të realizuar në një veturë me targa të huaja, janë gjetur katër qese me marihuanë me peshë prej 35 gramë.

“Në konsultim me gjykatësin e procedurës paraprake është marrë urdhër verbal për bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit, me ç’rast gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar dëshmitë në vijim: Një pistoletë me karikator, gjashtë fishekë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 708 gramë, sasi e dyshuar e marihuanës me peshë rreth 902 gramë, sasi e dyshuar e marihuanë me peshë rreth 163 gramë (gjithsej 1.8 kg substancë narkotike e llojit marihuanë), vetura e përfshirë në rast, një telefon mobil si dhe 6 bimë të mbjella, të dyshuara të llojit kanabis”, thuhet në njoftim.