Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën ka arrestuar një person të dyshuar se ka marrë flamurin kombëtar nga shtëpia e një personi dhe e ka djegur atë.
Personi ka pranuar se këtë vepër e ka bërë së bashku me dy të tjerë.
Një person kishte raportuar të martën në Polici, se persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e tij, ia kanë hequr flamurin kombëtar që e kishte të vendosur dhe e kanë djegur disa metra larg.
Ai ka thënë se ngjarja ka ndodhur të dielën.
“Lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, mashkull kosovar, i cili gjatë ballafaqimit me dëshmitë, ka pranuar se bashkë me dy meshkuj kosovarë të tjerë kanë kryer veprën. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e ka cilësuar rastin “prishje e rendit dhe qetësisë publike, vandalizëm”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.