Kronikë

Dy policë lëndohen në Prishtinë kur një i kërkuar tenton t’u ikë

Policia e Kosovës ka njoftuar të premten se ka ndaluar një automjet në Prishtinë, ku ngasësi pas verifikimit ka rezultuar të jetë i kërkuar nga policia.

I dyshuari ka tentuar të largohet me veturë nga vendi i ngjarjes, thuhet në njoftimin e policisë, me ç’rast, lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarët policorë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka udhëzuar që rasti të hetohet në procedurë të rregullt.

“Njësiti policor ka ndaluar një automjet me ngasës mashkull kosovar i cili pas verifikimit ka rezultuar në kërkim policor. I dyshuari ka tentuar të largohet me veturë nga vendi i ngjarjes me ç’rast pas marrjes së veprimeve për ta ndaluar të njëjtin, lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarët policorë meshkuj kosovarë, lëndime për të cilat kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.