Kronikë

IPK-ja rekomandon suspendimin e tre policëve në Kllokot dhe Fushë Kosovë

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar të dielën suspendimin e tre zyrtarëve policorë në dy raste të ndryshme, një në Kllokot dhe një rast tjetër në Fushë Kosovë.

Sipas IPK-së, informatat e para për rastin e Kllokotit i kanë pranuar përmes Linjës së Kaltër lidhur me dyshimin se dy zyrtarë policorë janë të përfshirë si të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Një qytetar kishte raportuar në Linjën e Kaltër se këta dy zyrtarë policorë nuk kanë ndërmarrë veprimet hetimore ndaj të dyshuarve pas ankesës së tij (duke mos përfshirë në deklaratën e tij kërcënimet që ai kishte pranuar nga një zyrtar i lartë i komunës së Kllokotit). Pas verifikimit të informacioneve të pranuara nga ankuesi, në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, hetuesit e IPK-së janë duke zhvilluar hetime me dyshimin se dy zyrtarët policorë kanë kryer veprën penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, zyrtarët e përfshirë si të dyshuar në këtë rast janë suspenduar”, thuhet në njoftimin e inspektoratit.

Në rastin tjetër, Inspektorati Policor i Kosovës i kanë rekomanduar Policisë suspendimin e një zyrtari policor me dyshimin për veprën penale të kanosjes.

“Informatat e para për këtë rast IPK-ja i ka pranuar mbrëmë dhe hetuesit janë dalë në vendin e ngjarjes. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me dy rastet”, thuhet në njoftim.