Kronikë

Gjenden të vdekura dy gra në Mitrovicë, njëra 19 e tjetra rreth 90 vjeç

Descriptive Text

Dy gra janë gjetur të vdekura të enjten në Mitrovicë të Jugut, në dy raste të ndara, ka bërë të ditur Policia e Kosovës të premten.

Sipas raportit 24 orësh, njëra grua është gjetur pa shenja jete në banesën e saj.

“Është raportuar se viktima femër kosovare është gjetur pa shenja jete në banesën e saj. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse si dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar vdekjen. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

Edhe për rastin tjetër bëhet e ditur se viktima është gjetur pa shenja jete, ndonëse nuk bëhet e ditur se ku është gjetur ajo.

“Është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kompetent. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin tjetër.

KOHA ka mësuar se viktimat janë njëra 19 dhe tjetra rreth 90 vjeç.

Ndërkaq, Policia po i heton si vdekje të dyshuara.