Kronikë

Aktakuzë nën dyshimin për ryshfet ndaj nëpunësit të mbeturinave në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”.

Në aktakuzë thuhet se i dyshuari, në cilësinë e personit zyrtar i nëpunës i kompanisë për mbeturina “Eko Regjioni Sh.A.” me seli në Prizren, kishte kërkuar 150 euro nga një person tjetër për t’ia siguruar hapësirën e varrimit bashkëshortes së tij.

“Sipas aktakuzës, me datë 28.12.2021 tek varrezat e qytetit në Prizren, i akuzuari B.K., në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i kompanisë regjionale për mbeturina ‘’Eko Regjioni Sh.A.’’ me seli në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon përfitim material për vete në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që të dëmtuarit N.B., nga Prizreni i kërkon shumën e parave prej 150 euro me kusht që t’ia sigurojë hapësirën për varrimin e bashkëshortes së tij të ndjerë, me ç’rast i dëmtuari pranon kërkesën e tij dhe i akuzuari merr shumën prej 150 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu, i dyshuari, pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin e së ndjerës Sh.T., e cila ka ndërruar jetë në vitin 2001, në atë mënyrë që në hapësirën e varrit të së ndjerës në fjalë, varros kufomën e së ndjerës tjetër H.B.