Kronikë

Aktakuzë ndaj përmbarueses private për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur të martën aktakuzë kundër të pandehurës S.K., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Sipas aktakuzës, e pandehura S.K., në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër, në atë mënyrë që me datë 22.12.2021, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke mos qenë pronë e të dëmtuarit por pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan - Komuna e Suharekës, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit B.G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.