Kronikë

Arrestohet shoferi i autobusit për aksidentin fatal në Podujevë

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se ka arrestuar shoferin e autobusit në lidhje me aksidentin fatal që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën Prishtinë – Podujevë.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka konfirmuar për KOHËN se të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.

“Ju njoftojmë se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore nga ana e Prokurorit të Shtetit në koordinim të plotë me policinë, sot, me urdhër të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, një person i dyshuar, shoferi i autobusit”, ka thënë Ulaj.

Burrë e grua, 36 dhe 35 vjeç, humbën jetën në aksidentin tragjik që ndodhi sot në rrugën Prishtinë – Podujevë. Ndërkaq, dy fëmijët e tyre janë në QKUK në gjendje stabile.

Aksidenti ndodhi si pasojë e përplasjes së veturës ku ishin viktimat me një autobus.