Kronikë

Aktakuzë ndaj mësimdhënësit në Dragash për rrahjen me rrip të nxënëseve

Foto: Koha / ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj një mësimdhënësi nga Dragashi, me dyshimin për kryerjen e veprave penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “hakmarrje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë të hënën.

Sipas njoftimit, më 13 maj të këtij viti, mësuesi me inicialet D.M, në shkollën “Hilmi Bahtijari” të fshatit Blaq, ka rrahur me rrip nxënëset me inicialet F.Z., S.Z. dhe E.H., duke iu shkaktuar lëndime fizike.

“Mësimdhënësi D.M., në cilësinë e personit zyrtar, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, i keqtrajton, frikëson dhe fyen rëndë dinjitetin e personave tjerë – nxënëseve F.Z., S.Z., dhe E.H., në atë mënyrë që i njëjti sapo hyn në klasë kërkon nga nxënësit që të nxjerrin librin nga lënda e Matematikës dhe të lexojnë në heshtje mësimin e fundit. Më pas kërkon nga nxënësit të dalin te dërrasa e zezë dhe të përsërisin mësimin që kishin lexuar. I pakënaqur me përsëritjet e nxënësve, merr rripin e pantallonave nga nxënësi R.I., me të cilin me forcë i godet nxënëset në duar, duke i shkaktuar dhembje fizike, frikë dhe fyerje të rëndë të dinjitetit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Themelore.

Sipas prokurorisë, i pandehuri ka kryer veprën penale “hakmarrje”, duke i notuar nxënëset me nota të dobëta. Kjo vepër u krye, sipas prokurorisë, pasi viktimat i njoftuan prindërit dhe Policinë e Kosovës për veprimet e mësimdhënësit.

Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës që pos dënimit, t’i ndalohet edhe ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.