Kronikë

Arrestohet në Bosnjë djali i “bosit kosovar të drogës”

Njësitë speciale të Bosnjë-Hercegovinës kanë arrestuar shtatë persona në aksionin e së martës dhe mërkurës në zonën e Sarajevës dhe Neumit, përfshirë edhe Elvis Kelmendin, siç e kanë quajtur mediat boshnjake, djalin e “bosit kosovar të drogës”, Naser Kelmendi.

Përveç Kelmendit, u arrestuan edhe Ajlin Ahmir e Anel Sejfoviq, si dhe katër persona të tjerë.

“Po kontrollohen disa objekte dhe mjete transporti me qëllim të mbledhjes së provave materiale”, thuhet në njoftimin e autoriteteve boshnjake.

Sipas provave të mbledhura deri tani, të dyshuarit vepronin si grup i organizuar kriminal, me role dhe detyra të ndara, i cili kontrabandonte dhe shiste sasi të mëdha të drogave narkotike në tregun ilegal të drogës në Sarajevë dhe të tjera qytete për një periudhë të gjatë kohore, shkruan Avaz.

Po ashtu, në kuadër të hetimeve, po hetohen edhe ku kanë shkuar paratë e fituara me veprimtari të paligjshme, si dhe format e veprimtarisë korruptive të të dyshuarve.

Prokurori pritet të caktojë masën e paraburgimit për të dyshuarit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 1 shkurt 2018, kishte shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Naser Kelmendi, i cili akuzohej për disa vepra penale. Kelmendi ishte dënuar me gjashtë vjet burgim, vetëm për pikën 8 të aktakuzës, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale për trafikim me narkotikë.

Kelmendi megjithatë ia ka dalë ta kthente sërish në rigjykim lëndën, dhe sot nuk ka të caktuar ndonjë masë për sigurimin e prezencës së tij në gjykatë, pasi që u është përgjigjur rregullisht ftesave të gjykatës.

Procesi gjyqësor ndaj tij po vazhdon. Seanca e fundit ndaj Naser Kelmendit ishte më 6 korrik, por u shty me kërkesë të avokatit të tij, Besnik Berisha.