Kronikë

Godet për vdekje këmbësoren në Istog, i dyshuari i paidentifikuar në kërkim

Një këmbësore ka vdekur si pasojë e një aksidenti të ndodhur gjatë mbrëmjes të së hënës në fshatin Lubozhdë të Istogut, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai ka bërë të ditur se i dyshuari për shkaktimin e aksidentit me fatalitet është në kërkim, ndërsa ende nuk është arritur të identifikohet.

Viktima ka vdekur në shtypi pas trajtimit në spital.

“Mbrëmë rreth orës 21:30 ka ndodhur një aksident trafiku në fshatin Lubozhdë të Istogut, një këmbësore është goditur. Ajo është dërguar në spital për trajtim, e më pas është liruar. Policia është njoftuar nga familjarët për vdekjen e saj, ndërsa drejtuesi i veturës që e ka shkaktuar aksidentin nuk ka arritur të identifikohet. Ai është në kërkim nga Policia”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se trupi i pajetë i viktimës, me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.