Kronikë

36 raste të dhunimit në 2022-tën, kërkohet futja e edukatës seksuale në shkolla

Descriptive Text

Një rast dhunimi është denoncuar, ndërkaq një vajzë është raportuar e zhdukur në 24 orët e fundit. Në raportin e Policisë, të publikuar të dielën, theksohet se një vajzë e mitur nga Obiliqi, e shoqëruar nga nëna e saj, ka raportuar se në shtëpinë e saj është dhunuar nga një burrë. Policia ka bërë të ditur se me urdhër të prokurorit kujdestar është bërë ekzaminimi i viktimës dhe rasti është duke u hetuar.

Në vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2022 janë raportuar në Polici 36 raste të kryerjes së veprës penale “dhunim”.

Në raportin e 24-orësh të Policisë së Kosovës, të dielën u raportua për dhunimin e një të miture në Obiliq.

Sipas raportit të Policisë, dhunimi ka ndodhur të mërkurën, ndërsa të shtunën është raportuar nga nëna e viktimës.

E mitura, e cila sipas Policisë në Obiliq po bashkëjetonte me një person, është dhunuar gjatë kohës kur ishte vetëm në shtëpi.

Pasojat që viktima i vuan nga dhunimi janë afatgjata, sipas sociologut Jeton Brajshori. Prandaj ai thotë se edhe dënimet duhet të jenë më të rënda.

Brajshori rendit disa nga shkaqet që çojnë te dhunimi.

"Ekzistojnë disa shkaqe të cilat e çojnë personin te dhunimi. Shkaku kryesor, sipas sociaologut, kur personi sheh dhunë në familje dhe sheh dhunim në mes të prindërve apo shumica tash me zhvillimin e teknologjisë, pra ndodhin duke bërë në rrjete sociale gjëra të ndryshme dhe duke tentuar që këto t'i bëjnë realitet, pra dhunimi vjen kryesisht nga moskomunikimi në familje dhe nga dhuna në familje”, ka thënë Brajshori.

Futja e lëndës së edukatës seksuale në planprogramin arsimor është parë si hap drejt parandalimit të rasteve të dhunimit.

"Ne e kemi një lëndë shkollore, lëndë si njeriu dhe natyra, lëndën e biologjisë, ku vetëm sipërfaqësisht flitet për edukatën seksuale, ndoshta si lëndë e veçantë, edukata seksuale do t'i trajtonte më mirë këto tema, ndoshta komunikimi mes prindërve, arsimtarëve dhe nxënësve do të formonte atë trekëndëshin që do të ishte shumë i mirë për edukimin në aspektin seksual, mirëpo edhe shteti duhet të ketë më shumë kampanja sensibilizuese”, ka shtuar ai.

Në raportin e EULEX-it të publikuar ditë më parë, thuhet se kriminalizimi i veprës penale të dhunimit në Kosovë ka bërë përparim të dukshëm në përafrimin me standardet ndërkombëtare, duke krijuar kështu një kornizë ligjore më të fortë për ndjekjen penale të dhunës seksuale

Në tre vjetët e fundit në Kosovë janë denoncuar 228 raste të dhunimit tek organet e rendit, prej tyre 85 për qind e viktimave janë vajza të mitura.