Kronikë

Tre shqiptarë në Angli dënohen me 57 vjet burgim për përdhunimin e një vajze

Descriptive Text

Tre shqiptarë të cilët në grup përdhunuan një vajzë në Bedford të Anglisë, janë dënuar me 57 vjet burgim në total.

Viktima 23-vjeçare po shijonte natën e parë jashtë pas përfundimit të kufizimeve të COVID-19.

Ajo e gjeti veten vetëm dhe të frikësuar pasi u largua nga klubi i natës Vogue në orën e hershme të së shtunës, 4 shtator, vitin e kaluar.

Pa e ditur, ajo ishte ndjekur brenda klubit nga Gemti Hyka, 31 vjeç, i cili e futi atë në veturën e tij dhe e çoi në një adresë ku e përdhunoi, raportoi DailyMail të shtunën.

Dy bashkëpunëtorët e tij, Vullnet Haka, 33, dhe Ibrahim Bezati, 36 vjeç, arritën aty dhe e përdhunuan vajzën. Gjatë aktit vajza u godit me shuplaka në fytyrë dhe u detyrua të merrte kokainë.

Gjatë dënimit të tyre, gjykatësi Steven Evans, tha se ata kishin shkaktuar “makthin më të keq të çdo gruaje” në viktimën e tyre, duke shtuar se ata “e kishin trajtuar atë si të mos ishte njeri”.

Vajza menaxhoi të ikte nga shtëpia në mëngjes dhe u gjet në gjendje jo të mirë nga kalimtarët.

Gjatë dëshmisë ajo tha se nuk i kujtohej si kishte dalë nga klubi atë natë.

Hyka u burgos për 26 vjet pasi u shpall fajtor për kidnapim, mbyllje dhe dy akuza për përdhunim.

Vullnet Haka dhe Bezati u shpallën fajtorë për burgosje të viktimës dhe dy akuza për përdhunim të vajzës. Haka u dënua me 14 vjet dhe Bezati me 17 vjet.

Hyka i tha jurisë se kur kishin arritur te adresa, ajo ishte pajtuar të kishin marrëdhënie seksuale. Ai tha: “Ajo asnjëherë nuk qau kur ishte me mua. Nuk e kam bërë atë. Nuk jam përdhunues”.

Hyka mohoi se ai ose ndonjë nga burrat e tjerë kishin folur shqip dhe se kishin qeshur me vajzën.