Kronikë

Parandalohet kontrabanda e 24 krerëve desh në Kaçanik

24 krerë desh janë gjetur nga Policia e Kosovës në fshatin Glloboçic, brenda një automjeti që po drejtohej nga një 53-vjeçar me inicialet B.K., e që dyshohet se po i transportonte në mënyrë ilegale nga Maqedonia e Veriut brenda territorit të Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, i dyshuari nuk posedonte kurrfarë dokumenti përkatës për deshtë që i ka ngarkuar në automjetin e tij.

“Gjatë kontrollit zyrtarët policor kanë vërejtur se i dyshuari në automjetin e tij, kishte të ngarkuar 24 krerë desh për të cilat nuk posedonte kurrfarë dokumenti përkatës. Kafshët dyshohet të jenë futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë se Veriut”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për këtë rast, policia thotë se janë njoftuar inspektorët e AUV-it dhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit iniciohet rasti “kontrabandim me mallra-kafshë”, të cilat konfiskohen dhe i dorëzohen doganës së Kosovës, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt.