Kronikë

Policia raporton për 12 raste të dhunës në familje

Policia ka njoftuar të dielën për 12 raste të dhunës në familje në raportin e saj 24-orësh. Më së shumti raste janë regjistruar në Prizren, gjithsej katër vetëm gjatë së shtunës.

Njëri nga këto raste ka të bëjë me dhunën fizike që një person dyshohet se ka ushtruar ndaj prindërve të tij, ku njëri prej tyre ka pranuar edhe trajtim mjekësor.

Një tjetër rast në këtë vend raportohet se ka ndodhur në një familje ku i dyshuari ka sulmuar nënën e tij dhe dy motrat e mitura. Si pasojë e këtij sulmi fizik, njërës prej viktimave i është ofruar trajtim mjekësor.

Edhe rasti i tretë i regjistruar në këtë qytet ka të bëjë me dhunën fizike që një person ka ushtruar ndaj nënës së tij, të cilën po ashtu e ka kërcënuar me thikë.

Në të tria rastet, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Ndërsa rasti i katërt i regjistruar në këtë vend ka të bëjë me dhunën psikike që një person dyshohet se ka ushtruar ndaj bashkëshortes së tij. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Një rast tjetër i dhunës në familje, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht prindin e tij, është raportuar të ketë ndodhur të shtunën në Prishtinë.

Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime trupore për çka ka pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Policia ka raportuar se sulm fizik të shtunën brenda familjes ka ndodhur edhe në Suharekë, ku si pasojë e një fjalosjeje, i dyshuari nën ndikim të alkoolit ka sulmuar djalin e tij të mitur dhe vëllanë e tij. Të miturit i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe gjashtë raste të tjera të dhunës në familje dyshohet të kenë ndodhur në Lipjan, Graçanicë, Obiliq, Kaçanik, Gjakovë e Mitrovicë.

Në të gjitha rastet ka të bëjë me dhunën fizike dhe psikike që të dyshuarit kanë përdorur ndaj bashkëshorteve të tyre.

Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë liruar dhe rastet kanë kaluar në procedurë të rregullt.