Kronikë

Abazoviqi për Lavrovin: Mali i Zi veproi si vendet e tjera që vendosën sanksione

Descriptive Text

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se nuk duhet të ketë dramë të madhe për shkak të situatës në lidhje me ndalimin e fluturimit të aeroplanit të shefit të diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, i cili do të shkonte për vizitë në Serbi.

Ai pas festimit të pesë vjetorit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO deklaroi se ka pasur konsultime me ministrin e Punëve të Jashtme Ranko Krivokapiq, por gjithashtu shtoi se të gjitha ministritë janë të detyruara të zbatojnë sanksione, shkruan Vijesti.me.

“Mali i Zi qëndron pranë partnerëve të tij dhe me politikën e përcaktuar ndaj BE-së dhe ne veprojmë si të tjerët që vendosën sanksione ndaj Rusisë. Unë nuk do të bëja ndonjë dramë prej saj, ne mund ta vlerësojmë faktin që dikush po proteston dhe po vepron ndryshe si pjesë e të menduarit politik të situatës, por kjo situatë është mjaft e qartë. Vendimi i Malit të Zi për të qenë pjesë e NATO-s ishte i duhuri dhe tani që ata shohin se çfarë po ndodh në Ukrainë, edhe skeptikët më të mëdhenj janë të vetëdijshëm për këtë," tha ai.