Kronikë

Arrestohen dy shtetas të huaj në Viti, dyshohet se shitën ari të falsifikuar për 1450 euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy shtetas të huaj, nën dyshimin se ata ia kanë shitur një sasi të arit një kosovari që dyshohet se ishte e falsifikuar.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Viti 18.05.2022 - 09:10. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shtetas të huaj pasi të njëjtit kishin mashtruar viktimën mashkull kosovar duke i shitur atij një sasi ari e cila ishte e falsifikuar. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në Raportin e Policisë.

Në një komunikatë më të zgjeruar të Policisë së rajonit të Gjilanit thuhet se për arin e ofruar për shitje, viktima ka paguar 1450 euro.

Policia ka identifikuar të dyshuarit.

“Pas raportimit të rastit në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante dhe shumë shpejtë kanë arritur të identifikojë veturën e të dyshuarve që kanë kryer veprën penale të mashtrimit. Janë ndërmarrë veprime operacionale në koordinim edhe me njësi tjera policore të kufirit dhe është arritur të ndalohet vetura me dy personat e dyshimtë në pikën e kalimit kufitar ‘Hani i Elezit’”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit, të dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, janë ndaluar për 48 orë.