Kronikë

31-vjeçari gjendet i varur brenda qelisë në Kavajë, u arrestua për vjedhjen e një dere

Ilvi Meta, 31 vjeç, dyshohet se është vetëvrarë të mërkurën në komisariatin e Kavajës, pasi ishte arrestuar për vjedhje.

Ai është gjetur i varur në qeli, pas ndalimit nga policia gjatë pasdites së 4 majit për veprën penale të vjedhjes, ndërsa rrethanat e kësaj ngjarje ende nuk dihen, shkruan Tch.

Viktima është gjetur me shenja jete nga zyrtarët policorë, por ka vdekur rrugës për në spital.

Agim Meta, babai i të ndjerit ka thënë për TCh se djalin e kanë akuzuar për vjedhjen e një dere alumini, dhe ka pretenduar se e kanë marrë padrejtësisht në polici.

Ai ka hedhur akuza ndaj policisë duke thënë se do ta zbardhë vetë këtë ngjarje dhe se nuk ekziston mundësia që djali të vetëvritej.

“Polici qensh, polici qensh janë, e morën paradite bënë kontroll në shtëpi, s’pati gjë edhe ikën. E akuzuan për vjedhjen e një dere alumini. Nuk e di, unë isha në një lokal duke pirë kafe me një shok, vetëm kur më thanë ‘Agim ik te shtëpia se ka ndodhur diçka’. Si mund të vetëvritesh? Kur shkova në shtëpi gjeta gruan, vajzën duke qarë. Nuk më kanë thënë asgjë. Nuk e di s’më ka ardhur asnjë informacion. S’më kanë thënë asgjë, do ta zbardh këtë gjë”, ka thënë ai.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe policia me një deklaratë, ku thuhet se mbi të ishte vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”, mbi dyshimet si autor i disa vjedhjeve.

“Lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Komisariatin e Policisë Kavajë, ku ka humbur jetën një shtetas i arrestuar, dyshohet i vetëvarur në qeli, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ngritur një grup të posaçëm hetimor. I.M., 31 vjeç, ishte arrestuar sot me vendim të Gjykatës së Rrethit Kavajë, e cila kishte vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’, mbi dyshimet si autor i disa vjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas kësaj ngjarjeje po hetohet për punonjësit e policisë të cilët ishin në detyrë këtë të mërkurë.

Ky është rasti i dytë që një person vdes brenda ambienteve të komisariatit. Një muaj më parë, një 26-vjeçar vdiq në komisariatin e Kamzës. /tch