Kronikë

Sekuestrohet një armë në një aheng familjar në Vushtrri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të premten se ka sekuestruar një armë në një aheng familjar në Vushtrri.

Sipas njoftimit, për rastin është intervistuar një 56-vjeçar, shtetas i Kosovës.

“Në orët e mbrëmjes të datës 31 mars 2022, në Stacionin Policor Vushtrri, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Dumnicë. Me të pranuar informacionin janë ndërmarrë veprime të shpejta policore, ku pas një kohe të shkurtër njësitet policore kanë identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat, me ç’ rast në vendin e ngjarjes ku kishte aheng familjar në cilësi të provës materiale fillimisht është gjetur një gëzhoj, ndërsa nga personi i dyshuar është sekuestruar një armë e llojit pistoletë. Në cilësi të të dyshuarit për të shtëna me armë është intervistuar: M. S., 56 vjeçar, shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.