Kronikë

Tetë raste të dhunës në familje të raportuara brenda një dite në Kosovë

Descriptive Text

Tetë raste të dhunës në familje janë paraqitur në raportin e fundit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Rastet kanë të bëjnë me ushtrim dhune nga babai ndaj bijës, nga i biri ndaj prindërve, por rastet e shumta u shënuan për dhunë fizike që ushtruan burrat ndaj bashkëshorteve të tyre.

Një rast që raportohet të ketë ndodhur në Drenas të dielën, flitet për dhunën që dyshohet se një burrë ka ushtruar ndaj vajzës së tij.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Një tjetër rast i regjistruar në Prishtinë paraqet dhunën që një person ka ushtruar ndaj prindërve të tij. Ai është dërguar në psikiatri për trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit me pas u dërgua në mbajtje.

Një tjetër rast në Skenderaj, tregon se një person është arrestuar pasi ka shkuar te shtëpia e ish-bashkëshortes së tij dhe ka marrë tre fëmijët e tyre.

I dyshuari, sipas Policisë, ka deklaruar se fëmijët i ka marrë për t’i shëtitur dhe se do t’i kthente në shtëpi.

Me urdhër të prokurorit, ankuesja dhe fëmijët janë dërguar në strehimore, kurse i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Edhe pesë raste të tjera të ndodhura në Podujevë, Lipjan, Viti Shtime e Pejë, të raportuara në polici, kanë të bëjnë me dhunën nga burrat ndaj bashkëshorteve të tyre.

Katër të dyshuar në këto raste janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti i ndodhur në Lipjan ka kaluar në procedurë të rregullt me lirimin e të dyshuarit.