Kronikë

13 të arrestuar për trafik droge në Itali, mes tyre edhe këngëtarja shqiptare

Një operacion antidrogë është zhvilluar ditën e sotme në Acilia të Romës, ku janë arrestuar 13 persona, mes tyre edhe këngëtarja shqiptare Elsa Lila, e cila sipas mediave italiane, konsiderohet si financierja e grupit.

Mes të arrestuarve shumica e tyre janë refugjatë në Itali dhe kanë prejardhje shqiptare. Përveç Lilës, u arrestua edhe boksieri Petrit Bardhi i njohur si “Titty”, shkruan "ilmessaggero".

I arrestuar është edhe Arben Zogu, i njohur si “Riccardiono”, i cili bashkë me Bardhin ishin pjesë të klanit të vëllezërve Guarnera, një bandë italo-shqiptare që merret me trafikun e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e tyre atje.

Sipas mediave italiane, operacionet e grupit koordinoheshin nga një lokal i lojërave të fatit që gjendej në Acilia. Menaxhere ishte këngëtarja e arrestuar Elsa Lila.