Kronikë

Në Tiranë grabitësit gërmuan 8 metra, por u zbuluan nga punonjësit e bankës

Personeli i bankës vuri re disa të çara në dysheme dhe lajmëroi policinë. Kështu u zbulua plani i grabitjes përmes tuneleve të nëndheshme në Bulevardin Zogu i Parë, në Tiranë, raporton Euronews.

Rreth 8 metra kanë gërmuar autorët për të arritur nga tuneli i krijuar për ujërat e zeza te banka e nivelit të dytë, e cila ishte vënë në shënjestër të autorëve.

Hyrja e përdorur nga ideatorët e këtij plani si në filma, është e vetmja që të lidh me tunelin e nëndheshëm.

Kjo hyrje është 270 metra larg nga banka.

Hetuesit nuk kanë zbuluar ende se prej sa kohësh po punohej në tunel nga autorët e kamufluar edhe përmes veshjeve si punëtorë mirëmbajteje. Provat e gjetura në tunel si dhe kamerat e sigurisë në zonë pritet të hedhin dritë mbi ngjarjen.

Nga viti 2015 në Tiranë janë regjistruar 6 grabitje mirë të organizuara të bankave të nivelit të dytë.

Më e bujshmja është ajo 9 prillit 2019, kur në pistën e aeroportit të Rinasit u grabitën 4.6 milionë euro.

Kjo ishte hera e dytë që thyhej siguria e aeroportit kombëtar nga grabitësit.

Në total nga grabitjet e 7 viteve të fundit, autorët kanë arritur të marrin rreth 14 milionë euro.

Ashtu si në grabitjet e mëparshme, edhe në grabitjen e dështuar të bankës së nivelit të dytë, policia nuk përjashton pistën që autorët të jenë informuar nga persona brenda personalit të bankës.

Nisur nga plani i thurur për të hyrë në bankë përmes tunelit të nëndheshëm, hetuesit dyshojnë se kanë të bëjmë me një grup të mirëorganizur e të sofistikuar grabitësish. /euronews