Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj personit që kontrabandoi shtatë sirianë për 20 euro secilin

Descriptive Text

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.G., i cili gjendet në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri kishte pranuar para për të bartur disa shtetas sirianë për në Kosovë.

“Më 8 janar rreth orës 06:30 minuta në afërsi të Pikës Kufitare në Vërmicë, i akuzuari E.G., merret me kontrabandim me migrantë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, në atë mënyrë që me automjetin e tij të markës ”VË Cadyy”, shkon në Pikën Kufitare në Vërmicë, dhe aty pranon për të bartur me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga 20 euro për shtatë shtetas të Sirisë, të cilët kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pa dokumente të identifikimit nga bjeshkët e fshatit Vërmicë ku më pas kanë zbritur dhe kanë hyrë në automjetin e të akuzuarit, i cili ishte parkuar në mbikalimin e autostradës në drejtimin e Prishtinës me ç’rast është vërejtur dhe është ndaluar nga patrulla e Policisë kufitare”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri për veprën penale për të cilën akuzohet, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.