Kronikë

Arrestohet reperi i njohur shqiptar, tentoi ta vriste pronarin e një hoteli në Tiranë

Reperi i njohur shqiptar, Ervis Selita, i njohur me nofkën “Vinz”, është arrestuar së bashku me të dashurën e tij, pasi ka tentuar ta vrasë pronarin e një hoteli në Tiranë. Pronari nuk e la të hynte Selitën në hotel pa një kartë identiteti.

Ngjarja nisi kur 30-vjeçari fillimisht u konfliktua me recepsionistin e hotelit se nuk e la te hynte në hotel me të dashurën e tij pa i dhënë kartën e identitetit, por më pas sherri përshkallëzoi edhe më tej ku u përfshi edhe pronari i hotelit. Kjo ka bërë që Vinz të nxirrte armën dhe të tentonte ta vriste, por ka ndërhyrë policia.

Vinz është një reper i njohur, me origjinë nga Bulqiza dhe jeton në Londër. Reperi është një emër jo pak i njohur, jo shumë për muzikën e tij, sesa për përfshirjen në bandën 'Hellbanianz' në Londër, që kontrollojnë tregun e kokainës atje. Gazeta britanike, Daily Mail, i ka kushtuar edhe një artikull kësaj bande, ku shkruante se përdorin muzikën si një ‘trampolinë’ për qëllimet e tyre kriminale, me këngë me tekste të dhunshme, ku ekspozonin edhe jetën e tyre luksoze.

Ervin Selita do të përballet me veprat penale "Vrasja me dashje" mbetur në tentativë, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Shkatërrimi i pronës" dhe "Prishja e qetësisë publike" dhe e dashura e tij E. D., 30 vjeçe, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Gjithashtu u shpallën në kërkim edhe dy shokët e 30-vjeçarit Xhuliano Selita dhe Erjon Mici, të cilët i erdhën në ndihmë gjatë konfliktit dhe me pas fshehën armën me të cilën tentoi ta vriste pronarin e hotelit.

Reperi ka deklaruar në Polici se nuk ka qenë i vetëdijshëm për atë që ndodhi dje në një hotel në Tiranë, ku tentoi të vriste pronarin, pasi ka qenë i dehur. Ai ka deklaruar se ishte klient i rregullt i hotelit dhe se nuk e kuptonte se po i kërkonin kartë identiteti vajzës që shoqëronte atë.

"Shkoja shumë shpesh te hoteli dhe isha klient i zakonshëm. Ata më njohin mua, unë nuk e di pse i kanë kërkuar kartën e identitetit vajzës me të cilën isha. Nuk isha i vetëdijshëm se çfarë po ndodhte sepse isha nën efektin e alkoolit", ka thënë ai.

Vinz së bashku me shokun e tij, Stealth, kanë këngë me miliona klikime në platformën YouTube. Ata nuk kanë rrjete sociale për shkak se konsiderohen si "persona të rrezikshëm".