Kronikë

Një muaj paraburgim burrit që gjuajti me armë në një lokal në Prizren

Descriptive Text

Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë ndaj të pandehurit L.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe kanosja.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar.

“Deri më datë 31 janar 2022, në kundërshtim me ligjin mbi armët mbanë në posedim armën – pistoletën e tipit “Glock 17” Austria,, dhe gjashtëmbëdhjetë (16) fishekë të kalibrit 9mm të vendosur në karikator. Më datë 31 janar 2022, në orët e mbrëmjes në Prizren, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që derisa ishte duke qëndruar në lokal gjuan me shishe bire në drejtim të një personi në lokal dhe nxjerrë pistoletën nga brezi, ku ndërhynë pronari duke kërkuar ta lëshon armën, me ç ‘rast arma shkrep dhe vetë i pandehuri lëndohet në gishtin tregues të dorës së majtë dhe në këmbën e majtë, me çka në vend publik shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve”, thuhet në komunikatë.

Me rastin e intervenimit të zyrtarëve policorë, i njëjti ka shfaqur rezistencë aktive dhe me rastin e vendosjes së prangave i është kanosur zyrtarit policor – të dëmtuarit, duke iu drejtuar me fjalët “ju njoh të gjithëve, .........., kam me ju vra”, i cili edhe pas trajtimit mjekësor ka përsëritur kërcënimet e njëjta.