Kronikë

Sekuestrohen mbi 5kg marihuanë, një i arrestuar dhe një tjetër i dyshuar në arrati

Policia e Kosovës ka sekuestruar 5kg e 185gr drogë e llojit Marihuanë, dhe ka arrestuar një person të dyshuar për transportimin e kësaj lënde narkotike.

Në komunikatën e lëshuar nga Policia thuhet se ngjarja ka ndodhur në udhëkryqin Novobërdë-Gjilan në fshatin Llabjan, ku kanë tentuar ta ndalojnë veturën e markës Pollo, por personat brenda kësaj veture duke mos iu bindur urdhrave të zyrtarëve policorë kanë ikur nga vendi i ngjarje.

E vënë në ndjekje të tyre, policia ka arritur ta arrestojë njërin nga personat e dyshuar dhe përveç lëndës narkotike të sekuestrojë edhe veturën dhe një shumë parash rreth 1000 euro, derisa personi tjetër i dyshuar se është përfshirë në këtë rast, ka arritur të arratisej.

“Pas rreth një kilometër (1 km) nga lokacioni fillestar, zyrtarët policor kanë arritur ta ndalojnë veturën e dyshuar ku edhe është arrestuar një person, kurse personi tjetër ka arritur të largohet duke tentuar që edhe substancën narkotike ta marrë me vete. Dëshmitë relevante janë fotografuar dhe janë tërhequr nga njësiti i Krim Teknikës-Gjilan”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personit të dyshuar tani më i arrestuar, i është caktuar masa e ndalimit, përderisa edhe një person tjetër i dyshuar për rastin ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga autoritetet policore.