Kronikë

Avokati i Gogajt gjobitet me 250 euro për zvarritje të procesit

Avokati i Shaban Gogajt është gjobitur me 250 euro, për shkak të mospjesëmarrjes së seancën e kaluar. Sipas aktvendimit të Gjykatës së Pejë, e të cilën e posedon edhe KOHA, thuhet se Gëzim Kollçaku, avokat i caktuar sipas detyrës zyrtare, nga trupi gjykues, është gjobitur me arsyetimin se po e zvarrit qëllimshëm procesin.

Kollçaku nuk kishte marr pjesë në seancën e 29 dhjetorit të vitit të kaluar, duke respektuar vendimin e Odës së Avokatëve, që asnjë avokat i caktuar sipas detyrës zyrtare të mos e marrë të drejtën e përfaqësimit, pas përjashtimit të avokatit Besnik Berisha. Në lidhje me këtë rast, edhe Qeveria e Kosovës javë më parë, ka marrë vendim që të ndalohet ekzekutimi i vendimit të OAK-së, për shkak se nuk ka bazë ligjore.

Shaban Gogaj, akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”. Vrasja e të riut Adonis Tetaj në vendin e punës kapi vëmendjen e opinionit, për shkak se dy ditë para se Gjykata Themelore në Pejë ta shpallë aktgjykimin ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, pamje të rënda u publikuan nga babai i të ndjerit.

E kjo vepër ishte cilësuar si vrasje nga pakujdesia, për çka pas këtyre pamjeve u përjashtua prokurori dhe lënda iu caktua Prokurorisë së Gjilanit, që po e mbron rastin në Pejë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se acarohet.

Më tutje thuhet se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit.

Sipas aktakuzës, Gogaj, pasi përfundon bisedën në telefon, nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.