Kronikë

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, dyshohet për viktima

Tre persona dyshohet se kanë mbetur të plagosur me armë zjarri këtë pasdite në Tiranë.

Përplasja e armatosur raportohet të ketë ndodhur në zonën e “Don Boskos”, konkretisht në ambientet e një lokali në kompleksin “Fiori di Bosco”.

Dyshohet për një viktimë, ndërkohë që pritet informacion zyrtar nga policia.

Që me nisjen e Vitit të Ri, nuk kanë munguar përplasjet e armatosura dhe sulmet e organizuara në vend.

Më 3 janar, 34-vjeçari Vinces Nikoll Piroli mbeti i plagosur në Shkodër, pasi u qëllua me armë zjarri.

Ai u dërgua në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar, pasi ka marrë 3 plumba. Piroli, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi akuzohej se bashkë me Dorian Lalën kishin vrarë për hakmarrje malazezin, Momçillo Gjurishiq, po ecte në këmbë tek Ura e Bunës, kur u plagos me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Një tjetër incident, fatmirësisht pa të lënduar u shënua dhe në Vlorë. Në lagjen Hajro Çakërri një automjet i cili i përkiste Bernard Sinomataj, shpërtheu në vendin ku ishte parkuar, pasi iu vendos një sasi lënde shpërthyese. Automjeti ka shumë kohë i parkuar pasi pronari i mjetit prej kohësh ndodhet jashtë shtetit./TCH