Kronikë

Gjendet i dekompozuar trupi i kaçanikasit, i zhdukur që nga qershori

Policia e Kosovës e ka gjetur të vdekur M.I., në malet e fshatit Begracë të Kaçanikut, gjegjësisht në “Lagjja e Qorupëve”, i cili ishte raportuar i zhdukur që nga 7 qershori i këtij viti. Sipas njoftimit, trupi i tij është gjetur i dekompozuar, derisa autoritetet kanë nisur hetimet.

“Policia e Kaçanikut dhe më pas hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj , menjëherë kanë dalë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i dekompozuar dhe ka nisur hetimet. Nga hetimet e para, dyshohet të jetë trupi i pajetë i personit të zhdukur M.I (M/K) i moshës 43 vjeçar, i cili ishte në kërkim që nga data 07.06.2021”, thuhet në njoftim.

Rasti është cilësuar si “hetim i vdekjes”, derisa trupi është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

“Policia, në koordimin edhe me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, po vazhdon hetimet, duke grumbulluar dëshmi materiale dhe deklarative në lidhje me këtë rast dhe për informacione tjera deri në identifikimin e plotë të trupit të pajetë, do të njoftoheni me kohë.”