Kronikë

Aktakuzë ndaj një personi të cilit i ishin konfiskuar rreth 200 kg mish me prejardhje të dyshimtë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Xh.G. për “prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshme ushqimore”.

Xh.G. më 12 tetor të këtij viti i ishin konfiskuar në lokal dhe në oborr të shtëpisë nga AUV-i dhe Policia e Kosovës 126 kg produkte mishi, pa dokumente të nevojshme kontrolli, pa dokumente të prejardhjes si dhe pa datën e prodhimit apo caktimit.

Atij i ishin gjetur edhe 50 kg mish, po ashtu pa dokumente të prejardhjes dhe datë të skadimit apo prodhimit. Kësaj sasie pasi i janë bërë analizat kanë rezultuar pozitive me përmbajtjen e baktereve Escherichia Coli dhe Sallmonella spp, duke rrezikuar me këtë seriozisht shëndetin, është thënë nga Prokuroria.

Policia e AUV-i kishin vepruar pas informatave që kanë marrë se në një qebatore në Fushë Kosovë, po shiten produkte të mishit, që dyshohet se janë të pakontrolluara.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri Xh.G., në vazhdimësi, në Fushë Kosovë, saktësisht në rrugën “Hajrullah Zymi” afër shkollës fillore “Mihal Grameno”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshme pasuror ka vu në shitje produkte ushqimore duke e ditur se janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve në atë mënyrë që të njëjtit në lokalin e tij nga Inspektori Sanitar i Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe nga Policia e Kosovës, i janë gjetur një sasi prej 126 kg e produkteve të mishit, pa dokumentet e nevojshme të kontrollit nga personi kompetent, pa dokumentin e prejardhjes, si dhe pa datën e prodhimit apo të skadimit, ndërsa, në po të njëjtën ditë, të datës 12.10.2021, rreth orës 20:00, në oborrin e shtëpisë së tij, në një depo të pasiguruar mirë i është gjetur një sasi prej 50 kg mish, po ashtu pa dokument të prejardhjes dhe datën e prodhimit apo skadimit, të cilat produkte pas analizave të bëra nga Laboratori i AVU-së kanë rezultuar pozitiv me përmbajtjen e baktereve Escherichia coli dghe Sallmonella spp, çka me këtë seriozisht ka rrezikuar shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Me këtë, i pandehuri e ka kryer veprën penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë”, nga nenin 261 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 paragrafi 1, të KPRK-së”, thuhet nga Prokuroria.

Sasia e mishit me vendim të prokurorit të shtetit është asgjësuar.