Kronikë

Arrestohet një i dyshuar për lëshim të testeve false për COVID-19

Një i dyshuar në Podujevë është arrestuar mbi dyshimin se përmes fotokopjes së tij ka shpërndarë dëshmi të falsifikuara për COVID-19.

Sipas njoftimit, sot Policia ka pranuar informacion se në qytetin e Podujevës në një lokal i cili shërben për tregti me pakicë dhe si fotokopje, dyshohej se janë duke lëshuar teste për Covid-19 të falsifikuara.

Policia ka njoftuar se përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me logo të disa laboratorëve në Kosovë.

“Gjithashtu si dëshmi janë sekuestruar edhe një shtëpizë kompjuteri dhe një telefon celular të cilët do të dërgohen në ekzaminim me qëllim të gjetjes së dëshmive shtesë lidhur me ketë rast. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Falsifikim i dokumenteve’”, thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar për grumbullimin e provave dhe dëshmive tjera shtesë, mbi dyshimet e përfshirjes së mundshme në këto aktivitete të kundërligjshme edhe të personave të tjerë.