Kronikë

Për shtatë ditë Policia në Ferizaj ka dënuar 1522 persona për mosrespektim të masave

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se nga data 30 gusht e deri më 5 shtator ka shqiptuar 1522 gjoba dhe 262 vërejtje policore për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj kohe janë kontrolluar dhjetëra lokale të ndryshme dhe 6 prej tyre janë mbyllur gjithashtu u janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse.

Njoftohet se përveç kësaj, policia po bënë edhe verifikimin nga afër të personave që janë në vetë izolim me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të infektimit me virusin Covid-19.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, do të vazhdojë me aktivitete të tilla edhe në ditët në vijim, në parandalim dhe respektim të masave anti-Covid-19, sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës Këto masa, në masë të madhe janë duke u respektuar nga shumica e qytetarëve, të cilët edhe i falënderojmë, por janë hasur edhe persona të cilët nuk i kanë përfillur të njëjtat dhe ndaj tyre policia ka qenë e detyruar t’u shqiptojë gjoba”, thuhet në njoftim.