Kronikë

Shkatërrohet klani shqiptar i kultivimit të drogës në Spanjë - 107 të arrestuar

Descriptive Text

Rreth 1 ton drogë dhe rreth 25.000 bimë marihuanë janë sekuestruar gjatë 51 kontrolleve të kryera në Tarragona, Barcelonë, Girona dhe Castellon. Është vlerësuar se konsumi i energjisë elektrike në plantacione ka shkaktuar një mashtrim prej më shumë se 1.6 milionë eurosh. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ardi Veliu, në një konference të përbashkët për shtyp me autoritetet spanjolle tha se operacione të tilla do të vijojnë dhe se do hetohen të gjitha provat për t’i dhënë një goditje më të fortë këtij grupi

Operacioni i koduar “Dobra” (Dyfish) i Policisë Kombëtare të Spanjës, në bashkëpunim me Mossos d’Esquadra dhe autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, si dhe me mbështetjen e Europolit ka çuar në arrestimin e 107 personave, të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal me origjinë shqiptare, ka njoftuar të mërkurën policia spanjolle. Rreth 1 ton drogë dhe rreth 25.000 bimë marihuanë janë sekuestruar gjatë 51 kontrolleve të kryera në Tarragona, Barcelonë, Girona dhe Castellon.

Sipas njoftimit të Policisë spanjolle, hetimi filloi në qershor të vitit të kaluar, pas njoftimit për një rrjet kompleks lehtësuesish, të cilët dyshoheshin se po mbulonin një organizatë me origjinë shqiptare për t’u vendosur në Spanjë. Ky rrjet ishte i përbërë prej profesionistësh nga sektorët e pasurive të paluajtshme dhe të energjisë elektrike, ndër të tjera, të cilët kundrejt pagesës paraprake ndihmuan organizatën të vendoset në Spanjë, duke u siguruar atyre logjistikën dhe infrastrukturën e nevojshme për kultivimin e marihuanës. Pas kryerjes së këtij kultivimi masiv marihuana shpërndahej në vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Gjermaninë, ku vlera e drogës shumëfishohej me pesëfish.

Në fund të vitit 2020, në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin , njëra nga dërgesat u neutralizua. Kjo organizatë kishte kamufluar 140 kilogramë boçe marihuanë të paketuara në vakum në një dërgesë të pretenduar të fëstëkëve përmes një kompanie britanike. Në këtë fazë të hetimit u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, të cilëve iu sekuestruan përveç të tjerave 100 kilogramë marihuanë, 700 gramë kokainë dhe më shumë se 2.000 euro kesh. Pas atij veprimi agjentët filluan hetimet në Spanjë mbi drejtuesit e rrjetit dhe metodat e shpërndarjes së tyre, të gjitha të koordinuara nga Gjykata e Instruksionit numër 3 të Reus. Falë bashkëpunimit ndërkombëtar me Gjermaninë, Shqipërinë dhe Europolin, ishte e mundur të identifikoheshin krerët e organizatës kriminale, konkretisht një klan i familjes shqiptare që banonte në Gjermani dhe Spanjë.

Pas kësaj ishte e mundur të lokalizohej një nga drejtuesit e rrjetit i cili, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes, drejtuan një rrjet të madh kushtuar trafikut ndërkombëtar të marihuanës. Si rezultat, majin e kaluar një dërgesë e re në Gjermani u ndërpre, ku organizata kishte pjesëmarrjen e një shoferi sllovak të kamionit, i cili fshehu 100 kilogramë boçe marihuanë të paketuar me vakum në mesin e ngarkesës së tij të ligjshme.

Në të njëjtën kohë, në Reus, u shkatërrua një plantacion prej 1.170 bimësh marihuanë, ku u arrestuan 3 shtetas shqiptarë, anëtarë të rrjetit kriminal.

“Së fundi, falë bashkëpunimit të Policisë Kombëtare dhe Mossos d’Esquadra, me praninë e autoriteteve policore nga Gjermania dhe Shqipëria, së bashku me analistët nga EUROPOLI të specializuar në krimin e organizuar shqiptar, u finalizua operacioni. Një dislokim i gjerë prej rreth 400 agjentësh, që mundësuan kryerjen e 42 ndërhyrjeve dhe kontrolleve të njëkohshme në Tarragona, Barcelonë, Girona dhe Castellon. Ditë më vonë agjentët kryen nëntë kërkime të tjera”, vijon njoftimi i Policisë spanjolle.

Bilanci i përgjithshëm i hetimit, që zgjati më shumë se një vit, arrin në 107 persona të ndaluar dhe 51 prona të regjistruara në të cilat janë shkatërruar disa plantacione të brendshme të marihuanës, përveç ndërprerjes së të tjerave në fazën e montimit.

“Agjentët kanë sekuestruar rreth një ton marihuanë të përpunuar në boçe, rreth 25,000 bimë marihuanë, rreth 70.000 euro kesh, një revolver, një armë gjahu, një bllokues frekuencash dhe tri automjete, dy prej tyre të nivelit të lartë (luksoze). Për mirëmbajtjen e këtyre plantacioneve ata kishin bërë lidhje të paligjshme, për të mashtruar mbi konsumin e energjisë elektrike, gjë që gjithashtu paraqiste rrezik për pronat fqinje për shkak të rrezikut të lartë të zjarrit në këto objekte, pasi nuk kishin masat e kërkuara të sigurisë. Është vlerësuar se konsumi i energjisë elektrike gjeneruar nga plantacionet e shkatërruara ka shkaktuar një mashtrim prej më shumë se 1.600.000 eurosh”, përfundon njoftimi i Policisë spanjolle pas përfundimit të operacionit “Dobra”.

Europoli e mbështeti këtë hetim duke siguruar ekspertizë të përshtatur dhe mbështetje të gjerë analize dhe duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta. Në ditën e aksionit një post komandues virtual u krijua nga Europoli për të siguruar koordinim të përsosur midis të gjitha autoriteteve të përfshira. Një nga ekspertët e saj u vendos në vend në Spanjë për të lejuar kontrolle të të dhënave kundër bazave të të dhënave të Europolit të mbledhura gjatë aksionit. Tre hetues shqiptarë u vendosën gjithashtu në Spanjë në kuadër të Projektit IPA 2019 që synonte të luftonte krimin e organizuar serioz në Ballkanin Perëndimor. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Ardi Veliu, në një konference të përbashkët për shtyp me autoritetet spanjolle tha se operacione të tilla do të vijojnë dhe se do hetohen të gjitha provat për t’i dhënë një goditje më të fortë këtij grupi për ta paralizuar atë.

Edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi ka reaguar në lidhje me operacionin në Spanjë, ku u shkatërrua klani shqiptar i kultivimit të drogës. Çuçi thotë se organizata e goditur është transnacionale, e përfshirë në trafikimin dhe kultivimin e gjerë të marihuanës.

"Oficerë të Policisë së Shtetit operuan në Spanjë së bashku me kolegët e tyre, për çmontimin e grupit. Por hetimet nuk do të ndalen këtu, pasi do të vijojnë me hetimin e burimit të pasurive në Shqipëri për të gjithë personat e implikuar. Ky është një tjetër operacion ndërkombëtar që dëshmon kapacitete në nivele të larta profesionale dhe besueshmërinë e Policisë Shqiptare. Megjithatë jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë përpara, për të renditur Policinë e Shtetit brenda mandatit të tretë, mes policive të vendeve evropiane. Gjithashtu për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt për të ardhmen e fëmijëve tanë", thotë ministri Bledi Çuçi.

Operacioni “Dobra është vijim i aksioneve të mëparshme të autoriteteve ndërkombëtare dhe shqiptare. Në fillim të korrikut të këtij viti autoritetet shqiptare dhe prokuroria e Barit kryen një operacion masiv antidrogë. Operacioni ka nisur në orët e para të ditës së premte në Shqipëri, ku janë arrestuar 28 persona.