Kronikë

Vdiq një 29-vjeçar në Prevallë, ra në një greminë teksa mblidhte boronica

Ka vdekur një 29-vjeçar nga fshati Brod i komunës së Shtërpcës, pasi kishte rënë në një greminë disa metra të thellë, në bjeshkët e Prevallës.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj, i cili ka thënë se i ndjeri ishte duke mbledhur boronica bashkë me vëllain e tij, kur ka ndodhur tragjedia.

Sipas tij, viktima është i nacionalitetit shqiptar.

“Sot rreth orës 15:00, policia në Prizren ka pranuar një informacion se në bjeshkët e Prevalles, përderisa dy vëllezër nga fshati Brod i Komunës së Shtërpcës kanë qenë duke mbledhur boronica, njeri nga ata ka rrëshqitur duke rënë në një greminë disa metra të thellë. Si pasojë e rrëshqitjes i njëjti nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve dhe rreth orës 16:40 njësiti i emergjencës, i cili kishte dalë në vendin e ngjarjes, e ka konstatuar vdekjen e viktimës. Viktima është i lindur në vitin 1992”, ka thënë Osmanollaj.

Ai ka shtuar se lidhur me këtë rast, policia rajonale e Prizrenit është duke kryer hetime ndërkaq trupi i pajetë është dërguar për obduksion.