Kronikë

Sekuestrohen mbi 500 kg shije për nargjile

Mbi 500 kilogramë shije për nargjile të kontrabanduara janë konfiskuar mbrëmjen e së mërkurës në depon e një lokali të Prishtinës nga Dogana e Kosovës.

Përpos shijeve janë konfiskuar edhe 130 kilogramë pipa njëpërdorimëshe në sasi prej 140 mijë copësh.

"Përmes rrugëve operative kemi marrë informata se në këtë lokacion ku jemi tash mund të ketë mallra të kontrabanduara. Me të marrë informatën kemi marrë të gjitha masat dhe kemi filluar kontrollin. Pasi kemi filluar, kemi vërejtur se në këtë depo gjendet mall i kontrabanduar. Malli i kontrabanduar është shije për nargjile për tymosje dhe pipa njëpërdorimësh që përdoren për nargjile’’, tha Bekim Shala, udhëheqës i njësitit anti-kontrabandë.

Malli i konfiskuar nga Dogana është blerë për 16.500 euro më pak sesa vlera aktuale në treg, duke përfshirë doganimin.

‘’Vlera e këtij malli nuk është shumë e madhe për shkak se i është shmangur taksave, shkon diku në 6 mijë euro. Ndërsa shmangiet nga taksa janë mbi 22 mijë e 500 euro", tha Shala. 

Për rastin është njoftuar edhe Prokuroria e Kosovës, e cila pritet të nisë procedurat e nevojshme ligjore.

{gallery}