Kronikë

Arrestohet në Prishtinë shtetasi i Shqipërisë, dyshohet se prezantoi dokumente të falsifikuara

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka dorëzuar kallëzim Penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ndaj R.Q, me origjinë-shtetas Shqiptar, i cili dyshohet se ka deponuar dokumente të rreme në Ambasadën e Kosovës në një shtet tjetër.

Sipas njoftimit, këto dokumente që dyshohen si të falsifikuara, i dyshuari i ka dorëzuar me qëllim të prezantimit si dokumente origjinale, duke sjellë në lajthim organet kompetente, në zyrën e regjistrit civil në Prishtinë, dhe duke arritur që të pajiset me numër personal dhe më pastaj me dokumentacione të Kosovës.

I dyshuari është arrestuar të dielën, teksa po tentonte të fluturonte në një shtet tjetër, nga Aeroporti i Prishtinës.

“Më këto veprime i dyshuari (R.Q.) dyshohet se ka kryer veprën penale: “Legalizim i përmbajtjes së rreme” neni 403 i KPRK-së (kodi i vjetër). Bazuar në hetimet e zhvilluara nga hetuesit rajonal të krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Prishtinë dhe në koordinim me Prokurorinë, Gjyqtarja e rastit lëshon Urdhër arrest për personin (R.Q.) pasi në fazën e hetimeve i njëjti ishte i pa arritshëm për Policinë dhe Prokurorinë. Sot me datë 22.08.2021 personi i dyshuar (R.Q.) në tentimin për të fluturuar në shtetin tjetër nga aeroporti i Prishtinës është ndaluar nga Policia Kufitare e Kosovës dhe më pastaj i njëjti i është dorëzuar Njësisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë. Hetuesit pasi pranuan personin e dyshuar/kërkuar, në konsultë me Prokurorin Kujdestar dhe me Gjyqtaren kujdestare, u rekomanduan që personi i dyshuar të shkojë në mbajtje për 48 orë.