Kronikë

Ngrihet aktakuzë ndaj drejtorit të Sekretariatit të KPK-së – dyshohet për disa vepra

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër katër personave, L.K., A.K., M.B. dhe F.D.. Dy nga ta, Lavdim Krasniqi, në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe A.K., në cilësinë e shoferit, akuzohen se për tri vjet kanë kërkuar dhe pranuar të holla e dhurata për vete dhe për tjetrin nga personi B.M. me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin.

Ata akuzohen për veprën “ushtrim ndikimi”.

Po ashtu, akuzohen se i kanë mundësuar të dyshuarit A.M. që të arratisej nga territori i Kosovës për në Shqipëri duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së.

​Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet A.K., dhe M.B., kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Ndërsa, e pandehura M.B., ka pranuar nga i dëmtuari B.M., një veturë në vlerë prej 25.000€, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Të pandehurit L.K., dhe F.D., kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pos që të pandehurit të shpallen fajtorë e të dënohen sipas ligjit, atyre t’u shqiptohet dënimi plotësues për ndalim të ushtrimit të funksioneve dhe të bëhet konfiskimi i veturës.