Kronikë

Paraburgim për të dyshuarin që grabiti pompën në Kamenicë

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit D.K.

Sipas gjykatës ai dyshohet se më 22 qershor në rrugën “Adem Jashari”, në Kamenicë kishte kryer një grabitje nën kërcënimin e armës.

“Duke përdorur forcën ndaj personit tjetër e përvetëson pasurinë e personit tjetër në atë mënyrë që në pompën e derivateve “IP Petrol”, hynë me një person të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve dhe duke e goditur punëtorin A. Z., kanë arritur që nga arka e pompës së derivateve të marrin shumën e të hollave prej 229 Euro dhe të largohen nga vendi në drejtim të panjohur” thuhet në njoftimin e gjykatës.

Më tutje në njoftimin e gjykatës thuhet se gjykata ka vlerësuar se këto rrethana janë të mjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.