Kronikë

Për pesë muaj në Ferizaj 95 raste të dhunës në familje, shumica në prezencë të fëmijëve

Në Komunën e Ferizajt po vazhdon të shënojë rritje fenomeni i dhunës në familje, madje shumica e rasteve po ndodhin në prezencë të fëmijëve.

Gjatë kësaj periudhe të vitit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjithsej 95 raste të tilla, ndërkaq në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin raportuar 83 sosh.

Ky fenomen ka shtyrë Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj të nisë mobilizimin për një fushatë në mbrojtje të fëmijëve.

“Shumë shpesh fatkeqësisht pjesë e dhunës në familje janë edhe fëmijët për shkak të mungesës së kulturës së prindërve, pavarësisht që në mes të çifteve mund të ndodhë të ketë çrregullime bashkëshortore, unë bëj kërkesë që të ruhen fëmijët. Qendra për Punë Sociale në rastet kur në familje ndodh një dhunë, atëherë ne me ekspertët profesionalë që i kemi punojmë me fëmijët në rehabilitimin, socializmin dhe ofrimin e këshillave psikosociale për fëmijë”, ka thënë Adelina Rexhepi-Braha, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj.

Basri Shabani, ushtrues i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Ferizaj, ka thënë se rastet e dhunës në familje trajtohen në tri nivele nga Policia e Kosovës, pasi që janë të formuara ekipe të veçanta profesionale.

Sipas tij, në secilin rast të dhunës në familje janë marrë masa ligjore me paraburgim, varësisht nga niveli i veprës.

“Unë konsideroj në aspektin profesional, sepse kemi të bëjmë me ngritjen e vetëdijesimit të qytetarëve për t’i raportuar rastet e dhunës në familje, si dhe ngritjen e besimit tek institucionet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Edhe në këtë vit kur ne po flasim kemi një ngritje graduale të numrit të rasteve në familje”, ka thënë U.D. i drejtorit të Policisë Rajonale në Ferizaj, Basri Shabani.

Policia e Kosovës në Ferizaj gjatë periudhës së fundit ka mbajtur ligjërata me nxënës nëpër shkolla, por edhe me grupe të ndryshme të interesit, me qëllim të vetëdijesimit dhe parandalimit të kësaj dukurie.