Kronikë

Gjykata gjermane ia ul dënimin kosovarit, nga i përjetshëm në 4 vjet

Descriptive Text

Një kosovari 24-vjeçar në Gjermani i është ulur dënimi nga burgim i përjetshëm në burgim katërvjeçar. Kushtrim H. ishte dënuar me burgim të përjetshëm pasi kishte shkaktuar një aksident me fatalitet në vitin 2019, duke bërë gara me vetura, raporton “Bild”.

Gjykata e Qarkut në Kleve ka zvogëluar dënimin e tij këtë javë.

Në shkallën e parë 24-vjeçari ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në shkurt të vitit 2020.

Si 22-vjeçar Kushtrim H. në prill të vitit 2019 me një veturë me 600 PS kishte vozitur me shpejtësi 167 kilometra në orë në një rrugë në Moers ku shpejtësia e lejuar ishte 50 kilometra në orë. Kur një grua 43-vjeçare me veturë të vogël kishte dal nga një kthesë, 24-vjeçari nuk kishte mundur të frenonte dhe e goditi veturën. 43-vjeçarja vdiq si pasojë e dëmtimeve në kokë që mori nga aksidenti.

Gjykata Federale e Drejtësisë (BGH) ka anuluar dënimin për vrasje kundër Kushtrim H., sepse sipas gjykatësit nuk ka pasur mjaftueshëm prova për të dëshmuar se ai kishte vepruar qëllimshëm. Me gjykimin të hënën, Gjykata e Qarkut në Kleve ndoqi po ashtu këtë vijë dhe e dënoi të pandehurin për një garë të paligjshme me vetura me pasojën e vdekjes.

Pasi që i pandehuri kishte vuajtur dy vite në paraburgim, atij i është larguar masa e paraburgimit pas vendimit të Gjykatës në Kleve.

Gjykata Federale e Drejtësisë i ishte referuar një deklarate të të pandehurit se ai po voziste në një rrugë me përparësi të dukshme dhe se për këtë arsye besonte se nuk do të kishte aksident.

I pandehuri i dytë është dënuar me tre vjet e nëntë muaj burgim. Dënimi i të pandehurit të dytë, që ishte kundërshtar i 24-vjeçarit Kushtrim H., është konfirmuar edhe nga Gjykata Federale e Drejtësisë.