Kronikë

Digjet një veturë në Kaçanik, shpëton pa lëndime familja pesë anëtarëshe

Një veturë është kapluar nga flakët sot në mesditë, në fshatin Nikaj të Kaçanikut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për KOHËN se në veturë ishin pesë persona, një çift me tre fëmijët e tyre, shqiptarë të Maqedonisë së Veriut të cilët kishin ardhur në Kosovë.

Veseli ka thënë se asnjë prej tyre nuk ka pësuar lëndime pasi ata me të vërejtur se vetura po digjej kanë dalë menjëherë nga ajo.

“Sot rreth orës 12:30 një automjet është kapluar nga flaka, ka qenë duke lëvizur nga Hani i Elezit në drejtim të Prishtinës. Në momentin që ka arritur në fshatin Nikaj të Kaçanikut, vozitësi dhe bashkëshortja e tij që kanë qenë në veturë bashkë me tre fëmijët, e kanë vërejtur se e ka kapluar veturën flaka dhe kanë dalë menjëherë nga automjeti. Ata më pas e kanë lajmëruar Policinë, Policia i ka lajmëruar edhe Zjarrfikësit”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se vetura me targa të Maqedonisë së Veriut është djegur tërësisht.