Kronikë

Policia arreston një qytetar që shtirej polic dhe merrte ryshfet për të mbyllur rastet

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person për veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”.

Sipas njoftimit të Policisë, i arrestuari me inicialet Xh. P. paraqitej si polic hetues dhe u kërkonte para bizneseve për të mbyllur lëndet ndaj tyre. Ai është arrestuar sot në flagrancë, teksa ka pranuar 11 mijë euro ryshfet.

“I dyshuari në vazhdimësi i ka mashtruar palët duke u prezantuar si pjesëtar i Policisë së Kosovës (hetues në krime ekonomike), me qëllim të përfitimit material. Ai ju ka thënë palëve ankuese se është duke hetuar disa lëndë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por që ai ishte në gjendje t’i rregullonte këto raste nëse pala ankuese pranonte t’i jepte ryshfet në vlerë prej 30.000 €uro (tridhjetë mijë euro). Policia e Kosovës pas pranimit të informacioneve relevante, sot më 24.05.2021 ka ndërmarrë një sërë veprimesh profesionale duke zbatuar edhe urdhëresën e gjykatës kompetente, ku është bërë simulimi i veprës penale, me ç’rast është kryer dhënia e mjeteve monetare të dyshuarit në vlerë prej 11,000 euro, ndërsa i dyshuari ka kërkuar edhe mjete të tjera që t’i pranojë gjatë dy ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, i dyshuari është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.