Kronikë

30 ditë paraburgim zyrtarit policor në Gjilan që dyshohet se sulmoi të miturën seksualisht

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh zyrtarit policor i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur.

Sipas njoftimit të Gjykatës, dyshohet se i pandehuri R. Sh. është takuar disa herë me të miturën që nga nëntori i 2020-s deri më 20 prill të këtij viti kur edhe u raportua për rastin.

E mitura njoftohet se është me aftësi të kufizuara mendore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji nëntor 2020 e deri me datë 20.04.2021, është takuar disa herë me të dëmtuarën e mitur, e cila është person me aftësi të kufizuara mendore, me ç’rast i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sulm seksual ndaj saj, rrethana këto të mjaftueshme për të cilat gjykata konsideron se tregojnë rrezikun potencial se poqëse i njëjti lihet në liri ai mund ta përsërisë veprën penale apo të kryej edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda”, thuhet në njoftim.