Kronikë

Mbi 13 vjet burg për dy personat që përdhunuan një grua me probleme psikike në Pejë

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me 6 vjet e gjashtë muaj burg të pandehurin H.M. dhe me 6 vjet e gjashtë muaj të pandehurin SH.G., të cilët e kanë detyruar viktimën B.SH. të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj dhe atë duke i shfrytëzuar problemet e saja psikike. 

“I pandehuri H.M., nga data 05.02.2020 e gjer me datën 07.02.2020, në banesën e tij, e ka detyruar viktimën B.SH., për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj dhe atë duke e shfrytëzuar aftësinë e saj të kufizuar mendore, në atë mënyrë që pasi që viktima kishte shkuar në banesën e tij me sugjerimin e të akuzuarit SH.G. dhe duke i ditur aftësitë e kufizuara mendore të saj, kryen akt seksual me të, për atë kohë sa e njëjta kishte qëndruar në banesën e tij, ku viktima pasi që del për të ble bukë me datë 07.02.2020, takohet me vëllezërit e saj afër banesës së të pandehurit H dhe rasti raportohet në polici”, thuhet më tej në njoftimin e Gjykatës.

Ndërkaq, i pandehuri SH.G. për gati një vit e kishte detyruar viktimën B.SH. të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj.

“I pandehuri SH.G nga muaji maj i vitit 2019, e gjer me datën 07.02.2020, e ka detyruar viktimën B.SH për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj dhe atë duke shfrytëzuar aftësinë e kufizuar mendore të saj, në atë mënyrë që pasi që ishin takuar më parë me viktimën kishin vënë kontakt dhe duke e ditur aftësinë e saj mendore, i pandehuri kryen marrëdhënie seksuale me të ashtu që sa herë ka dal me të ka kryer akt seksual pa pëlqimin e saj e me premtimin kinse për martesë, pastaj me sugjerimin e tij viktima kishte shkuar në banesën e të pandehurit H.M., ku edhe i njëjti kishte kryer akt seksual”, vijon njoftimi i Gjykatës.

Të dy të pandehurve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.