Kronikë

Kërkohet paraburgim ndaj katër personave për kontrabandë me armë

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj katër të pandehurve me inicialet A.L., nga komuna Ferizaj, H.Z.,- komuna Viti, M.K.,-komuna Ferizaj dhe E.I.,- komuna Prishtinë.

Nga Prokuroria Themelore u njoftua se ata gjenden në ndalim nga data 25 mars 2021, për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A.L. H.Z. dhe M.K., nga data 17 Tetor 2020 e deri më 25.03.2021, në Ferizaj dhe në disa qytete të Kosovës, në bashkëveprim kanë importuar armë-pistoleta, pushkë automatike, armë ushtarake zollë, pushkë gjuetie si dhe municion dhe pajisje tjera për armë nga Republika e Maqedonisë, të cilat i kanë shitur nëpër vende të ndryshme të Kosovës, me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, për të pandehurit A.L., H.Z., M.K dhe E.I., ekziston dyshimi i bazuar se kanë poseduar pa autorizim armë në kundërshtim me ligjin mbi armët, me ç’rast kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.