Kronikë

Autori i vrasjes në tentativë në Pejë ende i paidentifikuar

Autori i plagosjes së mbrëmshme në Pejë, që ka ndodhur para mesnate të rreth-rrotullimi afër stacionit të trenit, ende gjendet në arrati.

Të mërkurën rreth orës 22.20 në rrethana ende të pasqaruara është plagosur me armë zjarri qytetari A.N. rreth moshës 40, derisa autori ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Viktima është dërguar në Spitalin e Pejës dhe nga aty, për shkak të plagës së rëndë në bark, është transportuar në QKUK në Prishtinë. Autorin e kësaj vrasje në tentativë, organet ende nuk e kanë identifikuar.

“Prokuroria e ka autorizuar policinë që të marrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, tha për KOHËN, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi tha se ende është herët të dihen rrethanat si ka ndodhur ky rast, por ndërkohë sipas tij do të shikohen dhe analizohen pamjet e kamerave publike në vendin e ngjarjes, që të identifikohet i dyshuari dhe pas arrestimit të tij do të mësohen edhe rrethanat e ndodhjes së rastit.

Gjithashtu edhe Policia e Kosovës ka njoftuar për këtë vrasje në tentativë.