Kronikë

Një muaj paraburgim ndaj një të dyshuari për grabitje në Suharekë

arrestim

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë ditë, ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: grabitje.

Sipas gjykatës, i pandehuri A.K., me datë 3 mars, në orët e hershme të mëngjesit në pompën e derivateve në Suharekë, bashkë me një person tjetër, me kanosje e përvetësojnë në mënyrë të kundërligjshme pasurinë e luajtshme të personit tjetër, në atë mënyrë që të pandehurit vendosin maskat anti - covid të veshur me xhaketa dhe kapuç ngjyrë të zezë, i afrohen viktimës, dhe i drejtohen me fjalët ‘’ mos lëviz vetëm na jep para”. Viktima nga frika fillimisht i ngrit duart lart dhe jep para në vlerë prej 1.500 euro, dhe të pandehurit largohen në këmbë me shpejtësi.

Gjyqtarja e procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, ngase i pandehuri me qëndrimin e tij në liri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi që i njëjti ka qenë i kërkuar sipas urdhër arrestit të kësaj Gjykate dhe pas kryerjes së veprës penale ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes penale.